
A ndikoi Media Sociale në fitoren e Donald Trump?
Sipas artikullit nga Rich McCormick, Donald Trump pohon se Facebook dhe Twitter ndihmuan atë të fitonte zgjedhjet presidenciale. Parmy Olson pohon se falë Facebook opinionet e njerëzve (qofshin të sakta apo të gabuara) përforcohen dhe aftësia e të menduarit logjik e njeriut dobësohet, duke j’u përshtatur kështu “të menduarit në grup” apo “mentalitetit të masës”. Facebook tek të rinjë amerikan nuk shihet më si mjeti i cili nxiti urrejtjen e popullit, që për pasojë votoi Donald Trump, sepse kjo urrejtje ekzistonte tashmë. Facebook thjesht u dha një zë masave të shfaqnin veten dhe kjo sipas të rinjve ishte diçka e mirë.
Kjo pikëpamje e të rinjve nuk është e gabuar, por Facebook tashmë është shndërruar më tepër se një platformë ku njerëzit shprehin opinionet e tyre. Ai është kthyer në një sistem foltoreje që amplifikon urrejtjen dhe e përçon aty ku nuk duhet. Roli i tij nuk duhet minimizuar aspak. Facebook jo rrallë herë ka çuar në debate të flakta dhe postime me përmbajtje jo të përshtatshme, si dhe teori konspirative që janë kthyer në virale. Këto javët e fundit, Buzzfeed tregoi për një grup të rinjsh në Maqedoni, të cilët ishin përgjegjës për krijimin dhe lançimin e teorive konspirative që morën shumë pëlqime. Pjesa më e madhe e këtyre teorive ishin përkrahëse të politikave të Donald Trump.
Sipas Parmy Olson, Facebook krijon një varësi që nuk është aspak e shëndetshme, pasi dobëson të gjykuarit objektiv dhe të menduarit reflektiv duke forcuar paragjykimin dhe konfliktin. Ajo që do shpëtonte audiencën sipas Olson, është një “News Feed” më i balancuar ne lajmërime dhe njoftime duke ofruar kështu një sistem më të gjerë pikëpamjesh.
Por Mark Zuckerberg mohon kategorikisht lajmin se Facebook ndikoi në fitoren e Donald Trump. Sipas Zuckerberg, votuesit bënë zgjedhjen duke u bazuar në eksperiencat e tyre dhe jo lajmërimet e rreme që lexojnë nëpër media sociale. Edhe pse Mark Zuckerberg deklaron se Facebook nuk pati të bëntë me fitoren e Donald Trump, sipas Drejtorit Dixhital të fushatës së Donald Trump, Brad Parscale, media sociale pati një rol jashtëzakonisht influencues në fitore. Kjo fitore erdhi nga gjenerimi i të ardhurave prej 250 milion dollarësh falë Facebook. Pra Facebook ndihmoi në fonde dhe Twitter në fitoren përfundimtare.
Kështu, përpjekja e Mark Zuckerberg për të minimizuar rolin e Facebook në fitoren e Donald Trump-it si presidenti i 45-të i Shteteve të Bakshkuara rezultoi e pasuksesshme, pasi vet Trump e identifikoi Facebook si një faktor kyç që i siguroi fitoren. Presidenti i zgjedhur specifikoi se media sociale e stimuloi fitoren e tij, pa pasur nevojë për fushata të shpenzueshme dixhitale apo tradicionale sikundër bëri Klinton me fushatën e tij.
“Mendoj se media sociale ka më shumë pushtet se paratë që shpenzohen” tha presidenti Donlad Trump. Sipas tij ashtu si Facebook dhe Twitter janë platforma të fuqishme komunikimi që jo domosdoshmërisht i dashuron por falë tyre lajmi dhe historitë shpërndahen kudo pa humbur rrugës. Edhe pse Trump tashme i zgjedhur president, thotë se do të jëtë më i kufizuar në të ardhme në përdorimin e medias sociale, është shumë e vështirë për tu besuar kur vetë ai i përdori këto platforma gjatë gjithë luftës presidenciale.
Duket se pavarsisht atyre çka deklaron, Trump nuk do heqi dorë prej medias sociale, si pjesë vitale e fushatës që realizoi. Kjo përputhet totalisht dhe me thënien e tij: “Nuk duhet të ketë asgjë për të cilën të të vijë turp”. Siç duket presidenti i ri ka një startegji komplet të ndryshme nga paraardhësi i tij, pasi median sociale e vë në qëndër të fushatës dhe Facebook ishte një platformë që ndikoi në fitore. Ky ishte presidenti i cili ndryshoi totalisht formatin e fushatës duke investuar në median sociale e për pasojë, ai i cili do të jetë rivali i ardhshëm duhet të ndjekë të njejtën rrugë nëse do që të fitoj.
Sipas CEO të Facebook, Mark Zuckerberg “Ne qëndrojmë për të lidhur njerëzit kudo. Për krijimin e një komuniteti global, për ti sjellur njerëzit bashkë, për tu dhënë jë zë, hapësirë ku të shprehin mendimet dhe kulturën e tyre”. Teknikisht Facebook i lidh njerëzit, por në realitet dhe i ka ndarë ata duke i kategorizuar sipas opinioneve, informacionit që kanë e kështu nxit frikën, inatin dhe lajmet e rreme. Këtë e arrin duke shpërndarë informcionin që ndikon në dëshirat, instiktetet dhe besimet e thella të publikut. Facebook ka krijuar mes audiencës një varësi e cila i sjell njëkohësisht përfitim atyre që dinë si ta përdorin për qëllimet e tyre. Ndaj secili përdorues i tij duhet të këtë një vizion dhe mesazh të qartë për të përthithur sa më shumë audiencë.