
Diferenca midis Marketingut dhe Shitjes!
Koncepti “Marketing” dhe “Shitje” shpesh herë njëtrajtësohen nga shumë persona. “Shitja është Marketing dhe Marketing do të thotë të Shesësh!” – dëgjojmë zakonisht të citohet.
Por midis këtyre dy koncepteve që do trajtojmë në artikullin e mëposhtëm ka një diferencë të madhe, ashtu sikurse pika të forta në të cilat bashkohen.
Po, marketingu dhe shitjet duhet të funksionojnë njëkohësisht, por secila sipas strategjive specifike të tyre.
Nëse shtjelloj konceptin e marketingut në vetvete, do më duhej më shumë se një artikull, por në një përmbledhje shkurt mund të përmend që Marketingu është pjesa e planifikimit të shitjeve. Marketingu zgjedh produktin, studion, analizon dhe përzgjedh pjesën e tregut që dëshirohet të arrihet; identifikon se ku dhe kush duhet të shesë, çfarë dëshirohet të arrihet nga këto shitje dhe kush janë konkurrentët.
Marketingu është mbledhja e vendimeve që bëhet për tregun e cila çon në shitje të suksesshme.
Proçesi i shitjes është gjithçka që bëhet për të mbyllur shitjen apo për të nënshkruar një kontratë. Shitjet ndodhin kur ju jeni ballë për ballë me një klient, duke e bindur për të blerë produktin apo zgjedhur shërbimin tuaj. Aftësitë e personit përgjegjës për shitjen janë çelësi i suksesit. Ai duhet të jetë i mirë informuar për produktin apo shërbimin, për avantazhet dhe mangësit, personat kujt duhet ti drejtohet dhe të jetë bindës në ato që transmeton.
Çdo planifikim, organizim dhe strategji të hartura për produktin apo shërbimin në fjalë, identifikohen me personin i cili ka kontaktin e drejtpërdrejtë me klientin. Pra, kujdesi që duhet të tregojmë me zgjedhjen në pozicionin e shitjes duhet të jetë maksimal. “Plani magjik” që departamenti i marketingut mund të ketë hartuar për ecurinë e produktit të ri, bie poshtë në shumë pak minuta nga zgjedhja e një personi jo të përshtatshëm për ta prezantuar atë.
Për këtë arsye lidhjet që ka Marketingu me Shitjet janë shumë të forta.
Personi përgjegjës i marketingut ka si detyrë ti transmetojë departamentit të shitjes në mënyrë të qartë informacionet për produktin e ri, strategjitë që do përdoren për të arritur në proçesin final të shitjes dhe objektivat e parashikuara.
Këto dy departamente nuk mund të bëjnë pa bashkëpunimin reciprok midis tyre për përmbushjen e misionit të kompanisë. Por, punët që ato kryejnë janë thelbësisht të ndryshme dhe thënja që Marketingu dhe Shitja janë e njejta gjë, nuk ka vend!
Nga: Reni Dallaku