
Praktikat e Gabuara të Bizneseve gjatë Festave në Media Sociale
Pavarësisht se këtë vit e nisëm me kritika ndaj individëve të ndryshëm që postojnë mesazhe standarte, thënie ‘cliche’ apo me etiketime në foto urimesh (ashtu sikurse përmendi një vajzë në komente), bizneset janë ato që e keqpërdorin më shumë periudhën e festave të fundvitit. Vërejtjet e listuara më poshtë janë bazuar në artikullin e Bavaro (2016), ku listohen 9 gjërat që një biznes i vogël apo i mesëm nuk duhet të bëjë në rrjetet e tij sociale gjatë periudhës së festave. Një ndër to është dhe etiketimi masiv në foto, ashtu sikurse nxorrën në pa ndjekësit tanë.
Vërejtja e parë, të cilën ne në AGOG e mbështesim fuqishëm është postimi i materialeve promovuese dhe i shitjes agresive në faqen e biznesit. Duhet të kujtoni që jeni në një komunitet social, kryefjala e të cilit është bashkëveprimi. Askush nuk mund të bashkëveprojë me një foto produkti, aq më tepër gjatë festave të fundivitit. Edhe pse njerëzit janë më të prirur të realizojnë blerje, tërhiqini ata me një përmbajtje cilësore, që ti ruani ata konsumatorë në afat të gjatë.
Mendohuni mirë për përmbajtjen që postoni në faqet tuaja, ato duhet të jenë interesante për audiencën në rradhë të parë dhe pastaj për biznesin tuaj. Kujtoni që raporti më i mirë i postimeve është 20% shitje dhe 80% përmbajtje interesante për klientët tuaj. Një gjë e tillë vlen edhe për faqen personale të sipërmarrësve apo pronarëve të bizneseve të vogla dhe të mesme.
Diçka tjetër që Bavato (2016) thekson është dhe mbingarkesa e automatizimit. Ne i jemi shumë mirënjohës ‘Facebook’ për mjetet e postimit që ofron për faqet, por duhet kujdes në përdorimin e tyre, nuk duhet të kthehemi në robot. Le të marrim një shembull: Çfarë ndodh nëse ne kemi planifikuar e automatizuar postimet e të gjithë muajit dhjetor dhe e konsideromë të mbyllur punën tonë? Ne mund të humbasim shumë mundësi që mund të lindin falë ngjarjeve të ndryshme të festave. Kështu ne do të drejtonim vëmendjen e audiencës sonë drejt faqeve të tjera që janë duke shkruar në moment.
Një tjetër fenomen që na bën të dukemi robot është mungesa e angazhimit me ndjekësit tanë. Jemi ne ata të cilët duhet të jemi mirënjohës kur dikush na përmend apo nis një bisedë me ne. Një gjë e tillë e bën krejtësisht të padobishme përdorimin e teknikave ‘spam’ dhe na siguron një arritje më të madhe të audiencës potenciale.
Keni qënë ndonjëherë viktimë e praktikave të tilla si konsumator? Nëse po, cili ka qënë rasti?