
Si gëlon Media Sociale në 8 Mars?
Në prag të pranverës afron dhe data e rëndësishme e 8 Marsit, e cila njihet si dita e vajzave dhe grave. Në të vërtetë 8 Marsi është një datë që kërkon të reflektojë diçka më tepër në lidhje me gratë. Në artikullin e shkruar nga Kimberlee Morrison, ajo thekson në krye të tij që 8 Marsi simbolizon Ditën Ndërkombëtare të Grave, e cila fton të gjithë të festojnë arritjet e grave në sferën ekonomike, sociale dhe vendim-marrëse.
Për herë të parë, 8 Marsi nisi të festohej në Amerikë pas protestave për të drejtat e grave. Kjo valë proteste u shtri nga Amerika në Kanada, Rusi etj. duke u kthyer kështu në një ditë të shënuar ndërkombëtare.
Megjithëse website zyrtar i Ditës Ndërkombëtare të Gruas thotë se festimi dhe reagimi social ndaj kësaj dite ka pësuar rënie, sipas artikullit “International Women’s Day: 10 inspiring ads celebrating women” nga Michelle Perret ka pasur një revolucion të reagimit nëpër rrjete sociale që prekin çështjen e roleve gjinore dhe shëndetit.
Zoe Fox citon se në këtë datë shumica e aktiviteteve që zhvillohen syonjë fuqizimin e gruas në mbarë globin. Festimi i saj është shtrirë edhe në aktivitetet e medias sociale nëpërmjet fushatave sensibilizuese të cilat marketerët i shfrytëzojnë për të bërë marketing. Nga gjithë artikujt që arritëm të lexonim, ato që tërhoqën më tepër vëmëndjen janë këto:
- “Bollocks to Poverty”, ‘make-up’ në Facebook sipas viteve 1950
“Bollocks to Poverty” si lëvizje për të drejtat e grave, pati idenë e kthimit të fotove në Facebook në versionin ‘retro’ për të dhënë një ide të përgjithshme sesi do dukeshit nëse do jetonit në vitet 50-të. Kjo ide kërkon që të shpërndajë sado pak informacion dhe të ngacmojë vetëdijen e grave për sa i përket kësaj periudhe kohore, kur pabarazitë gjinore ishin të theksuara.
- Oxfam America’s e-cards
Lëvizja në Amerikë “Oxfam” pati një ide tjetër, atë të krijimit të kartolinave dixhitale që përmbanin mesazhe për eleminimin e pabarazisë gjinore në botë. Këto kartolina përgatiteshin nga gratë për të tjera gra që gëzonin admirimin e tyre. Përveç idesë së kartolinave, “Oxfam” krijoi edhe një site ku gratë mund të fitonin një çmim. Mjafton që aty të vendosnin emër, mbiemër dhe më pas ta postonin në rrjetet sociale.
- Larësi i rrobave “Ariel” #Share the Load
Falë Facebook kjo fushatë që nisi në Indi, u bë virale pasi ka një përmbajtje të veçantë. Fushata përbëhet nga një video ku në sajë të një letre babai i kërkon falje vajzës në emër të të gjithë baballarëve, pasi kanë dhënë shëmbullin e gabuar të mashkullit që nuk bën kurrë punët e shtëpisë. Në fund letra përmban një fjali prekëse: “Përse duhet që larja e rrobave të ishte vetëm një punë e mamasë?”
- Always #Likeagirl
Një video tjetër inspiruese vjen nga marka “Always”, e cila stimulon femrat që të thyejnë steriotipat duke u kërkuar atyre të luftojnë si një grua, të vrapojnë si një grua etj. pa u ndjerë të ofenduara.
- Dove Real Beauty Sketches
Kjo fushatë kërkon të sensibilizojë gratë dhe ti bindi ato që janë më të bukura se ç’mendojnë. “Dove” përdor një artist skeçesh për të vizatuar fytyrat e grave bazuar në perceptimet e tyre. Dhe pas skeçeve, e njejta gjë u kërkua të bëhej nga dikush tjetër por pa pasur parasysh perceptimet e grave. Nga kjo fushatë gratë morën imazhe më të bukura të vetes nga ato që kishin përfytyruar. “Dove” e përdori këtë fushatë për të promovuar imazhin e saj si kompani dhe për ti bërë gratë të besojnë se bukuria duhet të jetë një burim vetbesimi dhe jo ankthi.
*Fushata në Shqipëri
- Gulf dhe Alpet
Edhe në vendin tonë ka nisur trendi i fushatave për promovimin e markës si dhe të drejtave të grave, ku si shembull kemi marrë shoqërinë e distribuimit të naftës Gulf. Edhe pse jo në median sociale, në 2014 kjo kompani pati idenë brilante për të ofruar 10 litra karburant falas për shoferet femra. Nga ana tjetër kompania e së njëjtës industrie Alpet, ka organizuar para disa vitesh një garë ku përsëri konkurentet ishin vetëm femra. Nëse këto kompani do të kishin përdorur efektivisht fuqinë e medias sociale do të kishin përfituar nga “efekti levë” dhe do të krijonin një jehonë më të madhe gjatë këtyre fushatave.
- Fushata “One Billion Rising”
Kjo është një fushatë shumë e veçantë në përmbajtje sepse kërkon që gratë të ngrihen dhe të protestojnë për të drejtat e tyre në mënyrën me paqësore: kërcimin. Gra nëpër botë bashkohen në këtë ditë dhe pasqyrohen nga media sociale në një kërcim të përbashkët. Në 2013 kësaj iniciative të shkruar edhe në gazeten “The Guardian” j’u bashkua edhe Shqipëria.