
Si të rrisim angazhimin në LinkedIn!
Pavarësisht nëse keni një profil individi apo biznesi, LinkedIn me mbi 350 milionë përdorues, prej të cilëve 40% ndërveprojnë çdo ditë, ju ofron mundësi të shumta promovimi dhe tejçimi të informacionit tek persona të mirë targetizuar.
Shpesh kam lexuar dhe dëgjuar në kurse të ndryshme, që një foto apo video rrit konsiderueshëm angazhimin në rrjetet sociale. Besoj në këtë pikë jemi të gjithë dakort!
Mënyra ime e preferuar për të postuar në LinkedIn është zakonisht ajo e artikujve të shkruar nga unë apo shpërndarja e një informacioni interesant brenda fushës sime të interesit dhe të ndjekësve të mi. Por mesa duket çelsi i suksesit në LinkedIn nuk janë as fotot, videot apo link-et.
Postime vetëm me tekst! Sipas statistikave të LinkedIn, postimet që përfshijnë vetëm tekst, të strukturuar mirë, janë ato që marrin angazhimin më të madh në numra. Kjo padyshim nuk hedh poshtë suksesin e fotove apo videos, por le të bejmë disa llogari. Nëse postoni një video apo link të cilin e keni marrë nga youtube, website apo një platformë çfarëdo, do i drejtojni ato që klikojnë në një tjetër dritare duke dalë nga LinkedIn. Kjo nuk është e preferueshme, pasi mundësia për tu rikthyer përsëri aty ku ishim, në këtë botë online tepër shpërqëndruese, është e vogël. Në këtë mënyrë vetë LinkedIn nuk i jep përparësi postimeve të tilla, duke mos i shfaqur në frekuencat e duhura.
LinkedIn të mundëson shkrime me 1,300 karaktere, pra afërsisht 250 fjalë. Thënë ndryshe, një artikull i shkurtër. Pavarësisht kësaj mundësie, mos harroni se të qenurit konçiz dhe të saktë në atë që shkruani, do tërhiqte më tepër vëmendje të përdoruesve të cilët nuk kanë kohë për shkrime të gjata apo përqëndrimin e duhur.
Çfarë mund të shkruani?
Bëni një pyetje. Çdo gjë që shkakton një përgjigje do të rrisë angazhimin. Bëni pyetjen tuaj të lehtë për t’u përgjigjur dhe të rëndësishme për fushën tuaj.
Shprehni një mendim të vlefshëm. Nëse keni një opinion mbi një temë përkatëse, ndajeni atë dhe fitoni komente. Nëse mund të mbështetni qëndrimin tuaj me arsyetime dhe prova të forta, njerëzit mund të fillojnë t’ju shohin si udhëheqës mendimi në fushën tuaj. Pra, mos thuani vetëm lajmin, analizojeni atë! Po, audienca juaj dëshiron të përditësohet me lajmet dhe trendet e industrisë. Por ata gjithashtu duan të dinë ndikimin e mëvonshëm që do të ketë mbi to.
Çdo gjë që u përmend më sipër është e vlefshme si për individët ashtu dhe profilet e biznesit. Aplikoni disa nga këshillat e mësipërme dhe do mund ti vërtetoni vetë rezultatet pozitive.
Nga: Reni Dallaku